Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Qarkun Shkodër Elisa Spiropali në një mbledhje me drejtorët rajonal të PS, ndryshe nga më përpara është shfaqur kritike ndaj tyre duke u treguar më e ashpër se zakonisht. Pas mbledhjes me drejtortët zhvilloi një takim edhe me anëtarët e PS të këshillit bashkiak të Shkodrës. Në mbledhjen me drejtorët rajonal, Spiropali i ka bërë të qartë se tashmë është koha për të punësuar njerëz me kontribute por që janë profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Spiropali nuk e ka cilësuar se për çfarë kontributesh bëhet fjalë por nënkuptohet se lidhet me punësimin e socialistëve por jo thjeshtë militantë por persona që janë të aftësuar. “Dua që shumë shpejt të gjeni ju mënyrën për të punësuar profesionistë dhe njerëz me kontribute. Bëni çfarë të doni por deri pas Kongresit që kemi në fillim të tetorit, dua që kjo çështje të zgjidhet nga ana juaj dhe nuk dua që ta diskutoj më këtë pjesë. Po ashtu kërkoj nga ju që të përmirësoni shërbimet për qytetarët dhe t’i zgjidhni problemet që kanë. Dua që edhe socialisti me i thjeshtë nëse ju merr në telefon apo ju kërkon për problemet që kanë t’ia zgjidhni dhe të mos sorollaten”, deklaroi Spiropali përpara drejtorëve rajonal. Po ashtu një tjetër kërkesë e drejtueses politike është edhe ndërrimi i drejtorëve rajonal, kryesisht atyre që kanë shumë vite në drejtim.

“Ka ardhur koha që disa pozicione drejtorësh të rishihen. Sidomos ata që kanë shumë gjatë si drejtorë, 7-8 vite duhet që të hapin krahun për emra të tjerë të cilët kanë kontribuar për PS por gjithë këto vite kanë qëndruar në hije. Duhet që të rifreskohemi me emra të rinj dhe ky ndërrim drejtorësh besoj se do të ndodh shpejt. Nuk mund të qëndrojë për vite të tëra vetëm një person. Për këto ndryshime që do jenë kërkoj mirëkuptimin tuaj. Po ju them edhe diçka mos bëni gabimin të më fusni miq. Nga një anketë që është bërë duhet ta dini që bashkia Shkodër ka dalë me performancë shumë të mirë dhe është vënë në punë ndërsa drejtoritë rajonale nga ky anketim rezultojnë shumë dobët. Dua që energjia dhe ritmi i punës të ndryshojë plotësisht dhe të jetë i njëjtë me atë të bashkisë Shkodër.

Do të ketë projekte të shumta dhe punë voluminoze të bashkisë ndaj drejtoritë rajonale duhet që të jenë në të njëjtin nivel. Po vijnë zgjedhjet e 2025 dhe duhet që të riorganizohemi për të marrë një rezultat maksimal edhe në zgjedhjet parlamentare”, ka përfunduar Spiropali kritikat për drejtorët rajonal të PS në një mbledhje që nuk ka zgjatur për shumë minuta. Të gjithë drejtorët e pranishëm qëndruan në heshtje duke dëgjuar Spiropalin dhe kërkesat e saj. Edhe kryebashkiaku Benet Beci kërkoi bashkëpunimin e drejtorëve rajonal në mënyrë që të mos ketë pengesa si dhe drejtorët t’ju gjenden pranë qytetarëve dhe të mos shkojnë tek bashkia për çështje që nuk lidhen me bashkinë.

Më pas mbledhja e dytë është zhvilluar me anëtarët e PS në këshillin bashkiak të Shkodrës. Edhe me anëtarët e këshillit, drejtuesja politike Spiropali kërkoi që këshilltarët të jenë tashmë më aktivë dhe të dalin në zonat e tyre. “Deri më tani e keni përfaqësuar pjesërisht partinë socialiste dhe duhet të dini se jeni aty nën siglën e partisë. Kjo do të thotë se ju duhet që të jeni shumë më aktivë dhe të mos qëndroni të tërhequr se deri tani. Dua që zëri juaj të dëgjohet. Të dilni në terren në zonat tuaja dhe të flisni për investimet dhe punët që bën bashkia të cilat janë të shumta dhe do të shtohen. Duhet që të dilni bashkë me kryetarin e bashkisë dhe të flisni edhe ju. Ju falenderoj për kontributin që keni dhënë por tashmë duhet që të jeni më aktivë. Të qëndrojmë afër qytetarëve dhe të jemi gati për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës për të marrë sërish një rezultat të mirë.